Vargu I Profeteve - 1 (Nën Dritën E Kuranit)

Ky libër, që është një mirësi hyjnore, për shkrimin e të cilit kemi dhënë kontributin tonë modest, përmban profetët që përmenden në Kuran, që prej fletës së parë të kalendarit profetik e deri tek fleta e fundit. Po ashtu, janë përfshirë edhe urtësitë dhe mësimet e jetës së tyre.
Këtu u përpoqëm të përcjellim shkurtimisht ndodhitë e profetëve dhe të popujve të tyre, duke u munduar të kuptojmë nevojat dhe vështirësitë e njeriut të kohës sonë dhe duke përçuar shkëndijat e urtësisë që do t’i ndriçojnë ata:
Ademi (a.s.), para të cilit melekët u urdhëruan të binin në sexhde; Idrisi (a.s.), që barti të fshehtën e mahnitjes qiellore; Nuhu (a.s.), i cili thirri në rrugën e Allahut pa u lodhur për 950 vite rresht; Hudi (a.s.), profeti i popullit mohues të Adit, vatrat e të cilëve u shkatërruan me anë të furtunave të fuqishme; Salihu (a.s.), profeti i popullit të pabindur të Themudit, të cilët u shkatërruan me themel me anë të tërmeteve; Ibrahimi (a.s.), i cili në sajë të dorëzimit dhe nënshtrimit të plotë ndaj Zotit, i ktheu në trëndafilishte zjarret e Nemrudit mizor; Ismaili (a.s.), i cili është bërë simbol i sinqeritetit, besnikërisë, dorëzimit dhe nënshtrimit të plotë ndaj Zotit; Is’haku (a.s.), nga brezi i të cilit kanë ardhur profetët e bijve të Izraelit; Luti (a.s.), profeti i dëshpëruar i Sodomës dhe Gomorres, i cili e thirri në udhëzim popullin e tij amoral dhe të pabindur deri në momentin e fundit; Dhulkarnejni (a.s.), i cili e barti flamurin e teuhidit (besimit në një Zot të vetëm) nga Lindja në Perëndim; Jakubi (a.s.), i cili u bë simbol i durimit, i djegur nga malli e dashuria për të birin; Jusufi (a.s.), i cili pas skllavërisë dhe vuajtjeve të jetës së burgut, u bë mbret i zemrave; Shuajbi (a.s.), Oratori i Profetëve, i cili i ngrinte peshë zemrat me oratorinë e tij të jashtëzakonshme.


Vargu I Profeteve - 2 (Nën Dritën E Kuranit)

Në këtë libër, që është edhe vazhdimi i librit Vargu i Profetëve -I-, janë respektuar të njëjtat parime që përmenden në parafjalën e librit të parë.
Në këtë libër, vazhdohet me pjesën tjetër të profetëve, të cilët janë: Musai (a.s.), i cili me mrekullinë e shkopit të tij, e mbyti faraonin mendjelehtë në dallgët e Detit të Kuq. Vëllai i tij besnik, Haruni (a.s.), i cili e ndihmoi atë në çdo kohë dhe vend. Daudi (a.s.), i cili me dhikrin e tij entuziazmonte malet, gurët, madje edhe kafshët e egra. Sulejmani (a.s.), i cili e mbajti jashtë zemrës së tij pasurinë dhe mbretërinë madhështore të kësaj bote. Uzejri (a.s.), i cili u bë shembull i ringjalljes pas vdekjes, duke ardhur përsëri në jetë pas njëqind vitesh vdekje. Ejjubi (a.s.), i cili me meditimin e tij të thellë, u bë simboli i durimit. Junusi (a.s.), i cili kapërceu errësirat duke u thelluar në të vërtetën e duasë dhe dhikrit me dashuri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Iljasi (a.s.), i cili la emër të mirë ndër njerëz dhe meritoi selamin e Allahut; “Paqja qoftë mbi Iljasin!” Eljasai (a.s.), i cili meritoi grada të larta. Dhulkifi (a.s.), profeti i mirë që u mbyt në mëshirën hyjnore. Lukmani (a.s.), i cili u bë i njohur për urtësinë e tij të jashtëzakonshme. Zekerijja (a.s.), profeti dëshmor që vuajti shumë prej popullit të tij. Jahja (a.s.), i cili e priti vdekjen si dëshmor, njësoj si babai i tij Zekerijja (a.s.). Isai (a.s.), i cili shëronte të sëmurët dhe ngjallte të vdekurit me lejen e Allahut.